Në sa fusha të jetës i caktoni vetes qëllime?

21 / 11 / 2014 0 Komente

Caktimi i qëllimeve

Në sa fusha të jetës i caktoni vetes qëllime?

A i shkruani qëllimet tuaja në fletë?

Nëse deri më tani nuk e keni bërë këtë, do ju sugjeroja që të filloni ta bëni. Shumë studime janë bërë dhe të gjitha tregojnë se personat të cilët i shkruajnë qellimet e tyre në fletë, kanë më shumë gjasa që ti arrijnë ato se ata persona të cilët nuk i shkruajnë. Njerëzit e suksesshëm i caktojnë vetes qëllime të qarta, dhe pastaj këto qëllime i shëndërrojnë në targete të vogla, në mënyrë që të kenë më lehtë të masin progresin e tyre. Me sa duket procesi i shkrimit te qëllimeve paraqet një lloj përkushtimi ndaj atyre qëllimeve. Kështu që pasi të shkruhen këto qëllime në fletë, atëherë këto qëllime do të jenë më të qarta dhe më të arritshme për ju.

Në sa fusha të jetës i caktoni vetes qëllime?

Disa persona koncentrohen në vetëm disa fusha të caktuara të jetës, si p.sh humbja e peshës. Mirëpo ne do të ju sugjeronim që të caktoni qëllime në 6 fusha të ndryshme të jetës.

1. Karrierë
Çfarë dëshironi të arrini në punën tuaj? A doni të punoni në të njejtën firmë për tërë jetën tuaj, apo dëshironi më shumë? Shkruani planet tuaja në fletë dhe disa prej tyre diskutoni edhe me shefin tuaj.

2. Mardhënie
Në cdo fazë të jetës suaj ju duhet të mendoni për mardhëniet tuaja me njerëz si dhe mënyrën se si do të mund ti forconi ato. Mendo për mardhënien tuaj me prindërit, vëllezërit, motrat, shoqërinë, dhe nëse mendoni se keni nevojë që t’i forconi ato, atëherë shkruajeni këtë në fletë, dhe punoni në atë drejtim.

3. Shëndet
Kjo mund të jetë fusha më e rëndëshishme ku duhet të caktoni qëllime, për arsye se çdo fushë tjetër varet nga kjo. Kështu që shkoni rregullisht në kontrollë tek mjeku, dhe në bazë të asaj që ju thotë mjeku, caktoni vetes qëllime të cilat do ju ndihmojnë të përmirësoni shëndetin tuaj.

4. Pasuri
Caktoni qëllime të qarta se si doni të përmirësoni gjendjen tuaj financiare. Këtu duhet të shënohen kursimet, investimet, pensioni, prona dhe të tjera të ngjashme.

5. Zhvillim personal
Cilat janë aftësitë qe doni t’i zhvilloni? Ndoshta keni dëshirë të mësoni një program të ri kompjuterik, të flisni më mirë në publik  ose të mësoni t’i bieni kitarës. Mënyra më e mirë që ta bëni këtë, është qe t’i caktoni vetes qëllime të qarta se si do t’i arrini këto.

6. Socializim
Për shumë njerëz, ditët e sotme, është shumë e vështirë që t’i kushtojnë kohë të mjaftueshme socializimit me njerëz tjerë. Arsyet janë të shumta, mirëpo më kryesorja mund të them që është pamjaftueshmëria e kohës. Mirëpo edhe kjo mund të zgjidhet nëse planifikoni si duhet dhe i caktoni vetes një qëllim, si p.sh cdo javë, të paktën 10-15 orë do ja kushtoj shoqërimit me njerëz tjerë.

Si t’i caktoni qëllimet?

Që kjo metodë të ketë sukses, qëllimet duhet të kenë disa rregulla të cilave duhet të ju përmbaheni. Ato duhet të jenë: specifike, të matshme, të arritshme, reale si dhe duhet të ketë një kohë të caktuar për përmbushjen e tyre. P.sh nëse doni t’i humbisni 12kg , atëherë duhet  ta bëni kështu, t’i caktoni vetes qëllim që të humbisni 1kg për cdo muaj.

Mos u mërzitni shumë nëse nuk mund ta arrini një qëllim që i keni caktuar vetes, por përpiquni të gjeni arsyen se përse nuk mundët me e arritë, dhe pastaj mundohuni të mos i përsëritni ato herën tjetër. Gjithashtu kur t’i caktoni qëllimet, radhitni ato nga më e rëndësishmja tek ajo që është më pak e rëndësishme për ju, dhe mundohuni ti arrini ato në po të njejtën rradhitje.

 

Shkruar nga Kushtrim Thaqi  29 tetor 2014

No votes yet.